Duke marrë shkas nga protesta për Zvërnecin që zhvillohet vetëm pak metra më larg, përballë kryeministrisë, Rama tha se janë prodhuar përmbajtje për të ushqyer zemërimin. Ai tha se të njëjtën ndjesi do të kishte provuar edhe vetë nga “apokalipsi dixhital” që do ta kishte shtyrë të dilte edhe vetë në protestë.
Por, Zvërneci, tha Rama, është një investim madhor për ekonominë e Shqipërisë.
“Të dashur themelues, përfaqësues dhe anëtarë, anëtare të familjes sonë të madhe politike, Partisë Socialiste të Shqipërisë! Puna e solli që pikërisht në muajin e kremtimit të 35-vjetorit të lindjes së kësaj familjeje për Shqipërinë, një masë e madhe njerëzish të dilte vrullshëm mbi sipërfaqen e kanaleve të internetit dhe një bashkësi përfaqësuese të merrte në zotërim çdo mbrëmje bulevardin e Tiranës. Kërkesa nisi me zemërimin e drejtë të një akti dhune dhe të padrejtë ndaj një investimi madhor që do të ndikojë interesat ekonomike të Shqipërisë. E vërteta është se edhe unë personalisht, po të isha një qytetar që informohet nga rrjetet sociale, duke dëgjuar dhe parë turlillojet e gjysmë të vërtetave të fryra çdo minutë në vorbullat e kanaleve të dala me tërbim nga shtrati dhe lloj-lloj videosh e fotosh të prodhuara për të ushqyer zemërimin, pelikanë të ngordhur, gradaçela mbi lagunën e Sazanin, do të kisha dalë në bulevard, i llahtarisur nga gjithë ai apokalips dixhital. Do të më dukej edhe mua që e keqja e gatuar pas shpinës së popullit ishte aq e tmerrshme sa befas, krejt bota u zgjua si nga një ankth dhe u bashkua kontinent më kontinent për të shpëtuar atdheun tim të vogël nga një investim shkatërrues për jetën e gjelbër, shfarosës, vrastar. Pa diskutim, anulimi i një projekti kriminal që u trumbetua si shitje e një ishulli të Shqipërisë, do të më dukej më e pakta që duhet të ndodhte”, tha Rama.
Socialistët janë grumbulluar në sheshin ‘Italia’, por edhe pse është një përvjetor që kujton themelimin e partisë, nuk shihet asnjë flamur apo simbol partiak.
Të vetmit flamuj janë ata të BE dhe Shqipërisë.