Rajoni

Raport i ri për Kosovën para Këshillit të Sigurimit të OKB-së!

Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sonte diskuton raportin e ri gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK.

Në seancën që do të kryesohet nga Rusia, Kosova e Serbia pritet të përfaqësohen nga ministrat përkatës të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwartz e Ivica Daçiç.

Në raportin për periudhën nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023, Guterres përshëndeti Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe Aneksin e zbatimit të saj, për të cilin liderët e të dyja palëve arritën marrëveshje kohët e fundit.

Potenciali i një kornize të re dialogu

Raporti që në seancë do të prezantohet nga shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, vlerëson se korniza e re e dialogut ka potencial për të çuar para procesin drejt arritjes së zgjidhjeve afatgjata.

Palët janë zotuar plotësisht t’i respektojnë të gjitha nenet e marrëveshjes dhe t’i përmbushin të gjitha detyrimet në mënyrë të përshtatshme e në mirëbesim. Kjo është edhe më e rëndësishme, sepse ngjarjet gjatë periudhës që u vëzhguan, sollën tensione në një nivel krize, duke rezultuar me ngecjen më serioze që nga fillimi i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2011.

Retorika e intensifikuar dhe nxitëse nga të gjitha anët, vendosja e postblloqeve, incidentet e shumta të sigurisë e protestat në veri të Kosovës e kanë rritur rrezikun për dhunë.

Incidentet e natyrës etnike, përdorimi i armëve të zjarrit e lëndimet – si në mesin e civilëve, ashtu edhe mes pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, si dhe shënjestrimi i gazetarëve e aktorëve ndërkombëtarë të sigurisë, përbënin shqetësim të veçantë. Palët duhet të tregohen të përmbajtura e të sigurojnë që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore nëpërmjet dialogut, jo përshkallëzimit të dhunës.

Në raport, ku nuk janë përfshirë zgjedhjet vendore të 23 Prillit në katër komuna të veriut të Kosovës.