Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Real Estate i ri?
Po të them një sekret… nëse dikur me “real estate” nënkuptoje pallate 500 katëshe, vila në Bel Air apo ndonjë resort që të bënte të ndiheshe si milioner – sot, vila e re e milionerëve është një data center. Po, po, ato magazinat gjigande që duken sikur s’kanë asnjë dritare, por brenda kanë më shumë “tru” se e gjithë lagjja bashkë.
Në vend të pasqyrave e pishinave, këto kanë servera që mbajnë jetën tonë online: TikTok-un, Netflix-in, ChatGPT-n dhe, po, edhe fotot e tua që s’i ke fshirë kurrë, që nga 2016-ta.
Bankat dhe fondet e mëdha po e kuptojnë që “toka e re me vlerë” nuk është më me pamje nga deti, por me akses në energji elektrike dhe internet me shpejtësi drite. Dhe kjo është arsyeja pse sot, çdo kompani e madhe – nga Blackstone tek JP Morgan – po blen data centers si të ishin vila në bregdetin e jugut.
Pse? Sepse AI po ha energji si frigoriferi me derën hapur. Çdo “model” i ri që trajnohet, çdo kërkim që bën ti, kërkon fuqi kompjuterike — dhe kjo do thotë më shumë data centers. Me pak fjalë, këto janë nafta e re e botës.
Por, ka një problem: bankat po lodhen. Ndërtimi i një data center-i të madh mund të kushtojë miliona për çdo megawatt, dhe këta po bëhen si apartamente në Dubai – të gjithë i duan, por jo të gjithë kanë lekët për t’i ndërtuar.
Pra, po jetojmë në një kohë ku “real estate” s’është më sa pamje madheshtore ke nga ballkoni, por sa volt ke nën tokë. Dhe kushdo që e kupton këtë herët… po ndërton qytetet dixhitale të së ardhmes.