Italianët me të drejtë vote nisën votimin në referendumin dyditor për reforma, që kryeministrja Giorgia Meloni, thotë se do ta bëjnë sistemin e drejtësisë më të pavarur, por kritikët argumentojnë të kundërtën. Ky votim rrezikon të shndërrohet në referendum për vetë udhëheqësen e ekstremit të djathtë, para zgjedhjeve parlamentare.
Qeveria e krahut të djathtë e Melonit synon ta ndryshojë Kushtetutën e Italisë, për të ndarë rolin e gjykatësve dhe prokurorëve e për të reformuar trupin mbikëqyrës të tyre. Planin e quan “të domosdoshëm” për të garantuar paanshmërinë dhe përmirësuar funksionimin e sistemit të drejtësisë në Itali, i cili po përballet me probleme.
Do ta bëjë atë më modern, më meritokratik, më autonom, më të përgjegjshëm e mbi të gjitha, të lirë nga kufizimet politike, tha Meloni në një video të publikuar këtë javë.
Por, kritikët e dënojnë atë si “kapje e pushtetit nga politika që nuk adreson sfidat reale, nga gjyqet që zgjasin vite të tëra deri te mbipopullimi i burgjeve”.
Elly Schlein, udhëheqësja e Partisë Demokratike të qendrës së majtë, tha se plani është i projektuar keq dhe “dobëson pavarësinë e sistemit të drejtësisë”. Sondazhet sugjerojnë se dy kampet pro e kundër reformës në drejtësi janë pothuajse të barabarta.
Një “Jo” e qartë do të ishte goditje për Melonin, e cila drejton një koalicion të qëndrueshëm qeverisës që nga tetori i vitit 2022. Megjithatë, ka hedhur poshtë sugjerimet se do të japë dorëheqje nëse planet e saj për reformën në drejtësi nuk kalojnë në referendum.
Votimet mbyllen nesër në orën 14:00 dhe rezultatet paraprake priten më vonë gjatë ditës. Kryeministri i ndjerë konservator, Silvio Berlusconi, njihej për betejat e tij me drejtësinë.
Meloni dhe ministrat e saj vazhdimisht kanë kundërshtuar vendimet e gjyqësorit, sidomos sa i përket çështjes së emigracionit.
Reforma e tyre ka shkaktuar një opozitë të fortë brenda sistemit gjyqësor, me më shumë se 80% të anëtarëve të Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve të Italisë që zhvilluan një grevë njëditore vitin e kaluar.
Fushata për referendumin ka qenë e ashpër. Në një përplasje publike muajin e kaluar, Carlo Nordio tha se reforma do të korrigjonte një “mekanizëm mafie” brenda sistemit gjyqësor.
Gjithashtu, Giusi Bartolozzi, shefe e stafit të Nordios, u kritikua gjerësisht kur gjatë një emisioni televiziv tha se reforma do të “shpëtonte” gjykatësit që vepronin si “skuadra ekzekutimi”.