Aktualitet

Rënie gurësh në Kukës e Tropojë, qarkullim normal në rrugët kombëtare!

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut duke sjellë rënie gurësh në trup të rrugës si në Skurraj-Maqellarë, Kukës-Ura e Zapodit dhe në Tropojë.

Grupet e punës të ndodhura në terren kanë bërë menjëherë pastrimin.

Ndërkaq, në zonën veriore në Han i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth ka pasur reshje dëbore. Mjetet borëpastruese kanë vijuar punën për pastrimin e akseve nga dëbora dhe shpërndarjen e kripës.

ARRSH njoftoi se qarkullimi kryhet pa probleme në të gjitha akset nacionale.

Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e sotme, vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të masave ajrore të lagështa me origjinë perëndimore. Moti vijon me vranësira mesatare deri të dendura, si dhe me alternime të herëpashershme kthjellimesh (diell), kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore.

Vranësirat shoqërohen me reshje shiu të vazhdueshme, me intensitet kryesisht të ulët e në periudha afatshkurtra dhe lokalisht, deri mesatar. Në relievet e larta malore në lindje ka reshje dëbore me intensitet të ulët.

Pas orëve të pasdites, shirat ndërpriten në pjesën më të madhe të territorit, përjashtuar reshjet e izoluara në formë pikash sidomos përgjatë Ultësirës Perëndimore. Mjegull e dendur/mjegullinë dhe shikim i reduktuar për shkak të reshjeve të shiut e në orët e mëngjesit në zonat luginore.

Era fryn me drejtim verilindje-veriperëndim e me shpejtësi mesatare 1-7 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e në lugina, hera-herës era pritet të fitojë shpejtësi 8-14 m/sek, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 2-3 ballë.