Aktualitet

Reshjet e dendura të shiut, bllokohet aksi Gramsh-Moglicë dhe ai Librazhd-Prrenjas!

Aksi rrugor Gramsh-Moglicë dhe ai Librazhd-Prrenjas, janë bllokuar ditën e sotme, për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin pasditen e kësaj të hëne kanë krijuar menjëherë situatë problematike dhe shqetësuese për qarkullimin rrugor në qarkun e Korçës, specifikisht në aksin që lidh Moglicën me Gramshin.

Si pasojë e motit të keq dhe përkeqësimit të menjëhershëm të atmosferës, masa të mëdha dheu dhe gurësh janë shkëputur nga shpatet anësore të malit, duke përfunduar në rrugë. Ky rrëshqitje ka bllokuar një pjesë të konsiderueshme të aksit, duke vështirësuar tejet lëvizjen e automjeteve që udhëtojnë në këtë zonë.

Burimet nga terreni bëjnë me dije se aktualisht lëvizja e mjeteve po zhvillohet me mjaft vështirësi dhe puna po bëhet vetëm në njërin krah të rrugës. Ndërhyrja e plotë e mjeteve korative për pastrimin e të gjithë rrugës mbetet ende e vështirë për shkak se ka prurje dhe rënie të vazhdueshme të dherave nga skarpatat.

Në vendngjarje ndodhen autoritetet lokale dhe grupet e punës të mirëmbajtjes rrugore, të cilët po monitorojnë situatën në vazhdimësi për të shmangur çdo rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe për të bërë të mundur hapjen e plotë të qarkullimit sapo të stabilizohen kushtet.

LEXO EDHE: Vrasja e 27-vjeçarit në Paskuqan, autori zbrazi 10 plumba drejt tij, tentoi të ekzekutonte edhe një person tjetër në vendngjarje!

Aksi rrugor Librazhd-Prrenjas është bllokuar ditën e sotme për rreth 40 minuta, për shkak të motit të keq dhe me reshje shiu.

Bllokimi i aksit rrugor ka ndodhur në afërsi të fshatit Xhyrë, për shkak të inerteve dhe baltës, pasi po punohet për ndërtimin e Korridorit VIII.

Firma kontraktuese dhe e mirëmbajtjes së rrugës ndodhet në terren, për të bërë të mundur zhbllokimin e aksit rrugor.

Bllokimi i rrugës ka shkaktuar një varg kilometrik të automjeteve, në të dyja korsitë. Një fadromë ndodhet në vendin ku është bllokuar rruga, për të bërë të mundur pastrimin e baltës dhe të inerteve.