Ka nisur në Sheshin Skënderbej dita e 9 e protestës së qytetarëve kundër projektit në Zvërnec.
Ashtu si edhe ditët e tjera, qytetarët janë grumbulluar në shesh për ta vazhduar tubimin e tyre duke marshuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Siç raporton gazetarja e Top Channel Kristi Gongo, thirrja e protestuesve për ditën e tyre të 9 në shesh është “Shqipëria e re”.
Një nga pankarta udhëheqëse të marshimit nga një grup studentësh është: “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët”, ndërsa qytetarët po shpërndajnë edhe pankarta ku shkruhet: “Jep dorëheqjen.”
Mijëra qytetarë prej disa ditësh kanë mbushur sheshin, rrugët e kryeqytetit, me thirrjet e tyre “Edi Rama dorëhiqu”, “Shqipëri e Re”, “Atdheu nuk shitet”.
LEXO EDHE: “Rama Out”/ Peticioni online ka mbledhur afro 500 mijë firma për largimin e kryeministrit!
Me flamuj kuq e zi, pankarta në duar, disa prej tyre me plis në kokë, marshojnë kundër keqqeverisjes Rama.
Kjo protestë është shtrirë edhe në qytete të tjera, në Durrës, Shkodër, Vlorë e Pogradec. Por gjithashtu edhe Diaspora kanë dalë në protestën duke mbështetur Tiranën, e cila prej 9 ditësh “është në këmbë” dhe kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.