Tensione janë shënuar në nisje të protestës së zhvilluar para Kryeministrisë mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të FRPD-së.
Qytetarët u kanë kërkuar përfaqësuesve të FRPD-së të largohen nga protesta, duke theksuar se nuk duan asnjë përfaqësim politik në tubim.
Një prej qytetarëve, përmes megafonit, është dëgjuar duke akuzuar deputetin Redi Muçi të Lëvizjes Bashkë se po prish protestën.
“Redi Muçi po prish protestën”, është shprehur ai.
Në kor, protestuesit janë dëgjuar duke thirrur: “Opozitë e shtirur”, “shporrni partitë”, “opozita jemi ne”.
Me thirrje kundër klasës politike dhe elemente të forta patriotike ka nisur protesta para Kryeministrisë. Në shesh janë dëgjuar Himni Kombëtar dhe kënga patriotike “Xhamadani Vija-Vija”, ndërsa protestuesit kanë valëvitur flamuj kombëtarë. Protestuesit kanë shigjetuar me thirrje dhe ironi si kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe kreun e PD-së Sali Berisha, duke kërkuar burgosjen e tyre. “Rama n’burg, Berisha n’burg”, kanë thirrur njëzëri pjesëmarrësit.
Një nga pankartat e ditës së sot ka tërhequr vëmendjen, ku ironizohen deklaratat e ish zëvendës-kryeministres Belinda Balluku, në kohën kur kishte krizë energjitike, dhe para se të plaste skandali me tenderat mld eurosh për të cilën është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme.
“Karikuesin e hoqa nga priza, kondicionetrin e lash 24 gradë, bukën shkoj e blej në këmbë, po prap nuk bleva dot 300 apartamente si Belinda”, thuhet në pankartë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë vijuar të minimizojnë protestën, duke e lidhur atë me dezinformimin, interesa politike apo ndikime të jashtme. Në deklaratat e fundit, Rama ka ironizuar protestuesit dhe ka sulmuar figura publike që kanë shprehur mbështetje për revoltën qytetare.