Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e rëndë që ndodhi mesditën e sotme në Paskuqan, pas të shtënave me armë humbi jetën 27-vjeçari Ardian Baloshi.
Në vendin e ngjarjes në Paskuqan janë gjetur 10 gëzhoja, ndërsa dyshohet se autori ka tentuar të vrasë edhe një person tjetër, por ai i ka shpëtuar të shtënave.
Autori i dyshuar Sadik Llanaj, është konsideruar i rrezikshëm nga policia edhe për faktin se ka armën me vete, ndërsa mësohet se plumbat e kanë kapur në kokë 27-vjeçarin.
Ndërkohë Policia e Tiranës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim nga qytetarët për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes dhe ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e tij.
Njoftimi i policisë:
Sot, rreth orës 11:25, është marrë njoftim se në spital është transportuar pa shenja jete shtetasi A. B., rreth 27 vjeç.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para hetimore. Nga provat e administruara deri në këto momente, dyshohet se shtetasi A. B, është qëlluar me armë zjarri në rrugën “Dervish Luzha”, në Kamëz, pas një konflikti për motive të dobëta.
Si autor i dyshuar i ngjarjes është identifikuar shtetasi S. Ll., rreth 39 vjeç. Menjëherë janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore rrugore, janë angazhuar forca të shtuara policore në terren dhe po zhvillohen kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë ligjore.
Sqarojmë se nuk ka shtetas të tjerë të dëmtuar nga kjo ngjarje.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për kapjen e autorit dhe do t’ju informojmë në vijim për çdo gjë që lidhet me këtë ngjarje.