Rajoni

Reshjet e dendura të shiut prekin edhe Kosovën, përmbytje dhe probleme me energjinë elektrike në disa qytete!

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa qytete, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit.

IHMK-ja theksoi se reshjet e pandërprera të shiut gjatë disa ditëve në vende si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina kanë bërë që lumenjtë dhe përrenjtë të dalin nga shtretërit e tyre.

“Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Sipas këtij instituti, lumenjtë kryesore të vendit – si Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës – kanë ngritje “të lehta” të nivelit të ujit.

Përmbytje në disa rrugë kanë bërë që edhe Kompania për Distribuimim e Energjisë Elektrike (KEDS) të ndërprejë rrymën në Drenas, Malishevë dhe Rahovec.

Në Drenas, KEDS tha se “uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”.