Aktualitet

Krahas pezullimit të mësimit, nisin evakuimet nga përmbytjet në Durrës!

Durrësi mbetet më i prekuri nga moti i keq. Në qytetin bregdetar ka zona ku niveli i ujit arrin deri në 50 cm. Situata më problematike paraqitet në Spitallë, Nishtulla dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri). Rrugët mbeten pothuajse të pakalueshme në shumë lagje, si edhe të braktisura.

Mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të Durrësit për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe bllokimit të rrugëve.

Sipas Zyrës Vendore të Arsimit, prindërit dhe mësuesit janë njoftuar që të shmangin lëvizjet deri në qetësimin e situatës.

Aktualisht 8 familje po evakuohen për shkak të përmbytjes së banesave, 3 prej të cilave nga Shijaku. Ato do të sistemohen në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme.

Situatë e rënduar paraqitet dhe në autostradën Durrës- Tiranë ku disa automjete janë fikur e paraqesin probleme për shkak të pranisë së lartë të ujit në disa segmente.

Edhe në Tiranë, reshjet e dendura të shiut dhe mbushja e rrugëve me ujë ka sjellë trafik të rënduar.

Qarku Lezhë vazhdon i përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë 96 mm shi, sipas të dhënave të Stacionit Meteorologjik Ushtarak Gjadër.

Kjo ka shkaktuar rritje të niveleve të lumenjve Drin e Mat, si dhe përmbytje të tokave e të oborreve në disa zona.

Kukës, vërshimi i ujërave ka përmbytur disa segmente rrugore.

Problem mbeten edhe disa akse nacionale, konkretisht rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kam–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë, Bajram Curri–Valbonë, si dhe aksi Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, ku ka prezencë uji dhe dëmtime të pjesshme të rrugës.

Ndërkohë, shumë rrugë rurale në të tre bashkitë e Qarkut të Kukësit janë dëmtuar si pasojë e daljes së përrenjve nga shtrati, duke izoluar përkohësisht disa zona.

Reshje shiu me intensitet të lartë kanë nisur edhe në Fier, të shoqëruara me stuhi ere, por deri më tani nuk ka raportime për përmbytje apo dëme të shkaktuara nga moti i keq.

Për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, ka  shkarkime të kontrolluara nga hidrocentralet Koman dhe Vau i Dejës.

Shkarkimi nisi me një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, ndërsa gjithë procesi po monitorohet e menaxhohet nga specialistët e hidrocentraleve.