Bota

Riaktivizohet konflikti Tajlandë-Kamboxhia, frikë për luftë!

Tajlanda kreu sulme ajrore ndaj Kamboxhias fqinje. Të dyja palët kanë shkëmbyer akuza mbi shpërthimin e fundit të luftimeve në kufirin e kontestuar, që la të vrarë një ushtar tajlandez.

Pasi në mëngjes, trupat e Kamboxhias hapën zjarr në provincën Ubon Ratçatani, ushtria mori raportime se ushtarë tajlandezë u sulmuan me armë zjarri. Tajlanda ka nisur përdorimin e avionëve për të goditur objektiva ushtarake në disa zona, për të shtypur sulmet nga forcat e Kamboxhias.

Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes të Kamboxhias, Maly Socheata, akuzoi forcat tajlandeze se nisën një sulm ndaj atyre kamboxhiane në provincat kufitare të Preah Viearit e Odar Meançejit, duke akuzuar Tajlandën se qëlloi tempullin Tamone Thom e disa zona pranë tempullit Preah Viear. Kamboxhia nuk iu kundërpërgjigj këtyre sulmeve.

Një numër banorësh që jetojnë pranë kufirit, po largohen. Ushtria tajlandeze deklaroi se rreth 35 mijë vetë në Tajlandë janë evakuuar nga zonat përgjatë kufirit me Kamboxhian që nga rinisja e luftimeve.

Ushtria tajlandeze akuzoi forcat e Kamboxhias se lëshuan raketa ndaj zonave të banuara me civilë në provincën Buri Ram, duke shtuar se nuk është raportuar për viktima. Të dyja palët raportuan për përleshje edhe dje. Ushtria e Tajlandës njoftoi për dy ushtarë të plagosur.

Gjatë kësaj vere, përleshjet 5-ditore mes Tajlandës e Kamboxhias lanë të vrarë 43 persona dhe zhvendosën rreth 300 mijë të tjerë, para se të hynte në fuqi një armëpushim. Ndërprerja e luftimeve u ndërmjetësua pjesërisht nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Malajzia.

Në muajin tetor, presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një deklaratë të përbashkët pasuese mes Tajlandës dhe Kamboxhias, duke promovuar marrëveshje të reja tregtare me këto dy shtete pasi ato ranë dakord që të zgjasnin armëpushimin.

Por, Tajlanda e pezulloi marrëveshjen muajin e kaluar, pas një shpërthimi të dyshuar të një mine tokësore që la të plagosur disa ushtarë. Më pas, të dyja palët këmbyen akuza për përleshje të reja.

Mosmarrëveshjet mes dy shteteve përqendrohen në një debat shekullor mbi kufijtë e hartuar gjatë sundimit kolonial të Francës në rajon, me të dyja vendet që pretendojnë se u takojnë disa tempuj përgjatë vijës kufitare.