Bota

Tajlanda dhe Kamboxhia vazhdojnë luftën!

Pavarësisht thirrjeve të presidentit amerikan, Donald Trump për të patur një armëpushim mes Tajlandës dhe Kamboxhias, luftimet vazhduan edhe sot në mëngjes në rajonin kufitar mes dy vendeve fqinje aziatike. Ministria e Punëve të Jashtme në Bangkok citoi një zëdhënës ushtarak, i cili tha se Kamboxhia hapi zjarr në mëngjes duke goditur shtëpi të personave civilë.

Sipas gazetës tajlandeze “Khaosod”, sulmi ndodhi në distriktin Phanom Dong Rak në provincën kufitare verilindore Surin.

Në anën tjetër, Kamboxhia akuzoi vendin fqinj për hapjen e zjarrit herët në mëngjes. Gazeta kamboxhiane “Phnom Penh Post” citoi një zëdhënës të Ministrisë së Mbrojtjes të deklaronte se që nga orët e para të ditës së sotme, “forcat tajlandeze rifilluan bombardimet” në zonën kufitare.

Në të gjitha zonat e luftimit, forcat tajlandeze kanë përdorur artileri, dronë dhe avionë për të lëshuar predha të rënda, bomba e municione thërrmuese në tokën kamboxhiane, u citua të shprehej zëdhënësi Mali Socheata në një konferencë për shtyp.

Referuar burimeve të ministrisë kamboxhiane, dy tempuj të njohur hindu janë po ashtu në shënjestër.

Shtetet fqinje të Azisë Juglindore akuzojnë njëri-tjetrin se kanë shkaktuar një përshkallëzim të kohëve të fundit, duke nisur nga e enjtja, të një konflikti që në fakt ka qenë i ndezur për dekada të tëra.

Pas telefonatave me udhëheqësit e të dy vendeve, një ditë më parë, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump shkroi në platformën e tij Truth Social  se ata “kanë rënë dakord të takohen menjëherë dhe të punojnë shpejt për një armëpushim e në fund të fundit, paqe”.

Në një postim të veçantë, Trump tha:

Rastësisht, aktualisht po merremi me tregti me të dy vendet, por nuk duam të bëjmë asnjë marrëveshje, me asnjërin vend, nëse ata janë duke luftuar. Dhe unë ua kam thënë atyre këtë.

Çështja qendrore e konfliktit midis fqinjëve është vendndodhja e kufirit, i vendosur në kohën koloniale dhe interpretohet ndryshe nga secili prej të dy vendeve.