Presidenti i SHBA, Donald Trump ka bërë thirrje për rihapjen e burgut famëkeq që u mbyll në vitin 1963, Alcatraz.
Trump tha se Amerika ishte “pllakosur nga shkelës të egër, të dhunshëm dhe të përsëritur të krimeve” në një postim në rrjetet sociale Truth Social.
Ai shtoi se kur SHBA-të ishin “një komb më serioz”, ato “nuk hezituan të burgosnin kriminelët më të rrezikshëm”.
“Kjo është arsyeja pse, sot, po i drejtoj Byrosë së Burgjeve, së bashku me Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe Sigurinë Kombëtare, që të rihapin një Alcatraz të zgjeruar dhe të rindërtuar në mënyrë të konsiderueshme, për të strehuar shkelësit më të pamëshirshëm dhe të dhunshëm të Amerikës”, shkroi ai.
Trump tha se rihapja e burgut të San Franciskos do të “shërbente si simbol i ligjit, rendit dhe drejtësisë”.
Ishulli Alcatraz, një nga simbolet më të rëndësishme të San Franciscos, është gjithashtu vendi ku ndodhet Burgu Alcatraz, i njohur si burgu më i famshëm në botë dhe subjekt i filmave të ndryshëm.
Ishulli pret 1,5 milion turistë çdo vit që nga viti 1973, kur filloi të përdoret si zonë turistike publike.
Burgu ka pritur shumë kriminelë “të famshëm”, duke përfshirë liderin amerikan të mafias me origjinë italiane Al Capone, “Doc” Barker, George Kelly, i njohur edhe si Machine Gun Kelly, Robert Franklin Stroud, i njohur si Birdman of Alcatraz, Floyd Hamilton, shoferi i dyshes Bonnie dhe Clyde, si dhe Alvin Karpis.