Pas fitores së rëndësishme ndaj Bolonjës, Juventus nis të shohë më qartë zonën Champions dhe rifiton besim në vazhdimësinë e sezonit. Skuadra bardhezi ka shkurtuar distancën nga rivalët direkt dhe tashmë ndodhet vetëm një hap larg Romës në renditje.
Sfidat e ardhshme marrin një rëndësi vendimtare, sepse mund të shënojë një pikë kthese në sezonin e Juventusit. Një mbyllje e vitit 2025 me sukses do t’i lejonte bardhezinjtë jo vetëm të kapnin rivalët direktë për zonën Champions, por edhe të hynin me më shumë autoritet në garën për katër vendet e para. Pas një periudhe me luhatje, skuadra duket se ka gjetur më shumë ekuilibër dhe qartësi taktike.
Rezultatet e fundit kanë rritur moralin dhe besimin brenda grupit, ndërsa loja ka treguar përmirësime si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në ndërtimin e aksioneve. Kalendari i ndeshjeve të ardhshme i buzëqesh qartë Juventusit. Pas përballjes me Romën, bardhezinjtë do të ndeshen me skuadra më të përballueshme në letër, një mundësi konkrete për të grumbulluar pikë dhe për të ushtruar presion mbi rivalët direktë për Champions.
Një tjetër sinjal pozitiv është rikthimi i disa elementëve kyç të skuadrës. Bremer ka sjellë siguri në prapavijë, duke udhëhequr mbrojtjen me autoritet. Në mesfushë, Lokateli dhe Turam kanë garantuar ekuilibër, forcë fizike dhe kontroll të lojës. Në fazën sulmuese, Jildiz vazhdon të jetë një pikë reference, duke dhënë kreativitet dhe rrezik konstant. Edhe repartet e tjera kanë treguar rritje, ndërsa stafi teknik kërkon vazhdimësi dhe përqendrim maksimal deri në fund.
Mesazhi brenda klubit është i qartë: zona Champions është e arritshme, por kërkon përulësi, punë të vazhdueshme dhe hapa të sigurt në çdo ndeshje. Efekti i ardhjes së një trajneri me shumë përvojë në kampionatin italian, por edhe atë ndërkombëtar si Luçiano Spaleti, ka nisur të ndjehet në Torino.
Juventus bind, merr rezultate, por njëkohësisht i imponon lojën skuadrave kundërshtare. Sukseset në Champions ndaj Bogo Glimt dhe Pafosit, si dhe fitoren në kampionat ndaj Bolonjës dhe Romës, kanë bërë jo vetëm të harrohet humbja ndaj Napolit, por të rrisin entuziasmin brenda ambjentit bardhezi, me tifozët e “Zonjës së Vjetër”, që tani shpresojnë përse jo të gjejnë ekuilibrat e duhur e mbi të gjitha vazhdimësinë e rezultateve pozitive, gjë e cila për hir të së vërtetës ka kohë, që mungon te Juventusi.