Cristiano Ronaldo do të vazhdojë karrierën e tij në Arabinë Saudite edhe për një sezon të ri, pas rinovimit të kontratës me Al Nassr, duke e bërë këtë me një marrëveshje që nuk mund të refuzohet.
Portugezi ka fituar besimin e drejtuesve të klubit, të cilët i kanë ofruar një përqindje të vogël, por simbolike, të pronësisë së klubit, duke e bërë atë një pronar të Al Nassr me 5% të aksioneve.
Ky veprim tregon admirimin e thellë të drejtuesve të klubit për yllin e fushës së blertë.
Që nga ardhja e tij në Arabinë Saudite, Ronaldo ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm, duke tërhequr emra të tjerë të famshëm për të luajtur në Lindjen e Mesme.
Rinovimi i kontratës së tij është një provë e angazhimit të Al Nassr për të përmirësuar skuadrën dhe për të konkurruar sërish për tituj, pa hezituar në investimet që duhen bërë.
Sipas raportimeve të Marca-s, rinovimi i kontratës do t’i sjellë Ronaldo-s një pagë prej 183 milionë eurosh për sezonin, që do të thotë një pagë mujore prej 15.25 milionë eurosh, 3.8 milionë euro në javë dhe 550 mijë euro në ditë, duke e mbajtur atë lojtarin më të paguar në botë.