Bota

Rrëzohet avioni ushtarak në Kolumbi, 66 viktima e dhjetëra të plagosur!

Një avion transporti ushtarak u rrëzua në Kolumbi, duke u shndërruar në një tragjedi me të paktën 66 viktima e dhjetëra të plagosur, sipas bilancit të deritanishëm.

Mjeti C-130 Hercules me 125 persona në bord ra menjëherë pas ngritjes nga Puerto Leguizamo, në Departamentin Putumayo, pranë kufirit me Ekuadorin, për shkaqe ende të paqarta.

Sipas një burimi ushtarak, në aksident humbën jetën 58 anëtarë të ushtrisë tokësore, gjashtë anëtarë të forcave ajrore dhe dy oficerë policie.

Ministri i Mbrojtjes, Pedro Anulfo Sanchez, e përshkroi aksidentin si “tragjik” dhe shprehu ngushëllime për familjet e të prekurve.

Presidenti i vendit, Gustavo Petro kritikoi ata që pengojnë planet për modernizimin e ushtrisë, duke theksuar se blerja e avionëve C-130 nga Kolumbia filloi që në vitet 1960.

Në një postim në “X”, Petro deklaroi:

Nuk do të lejoj shtyrje të mëtejshme. Jetët e të rinjve tanë janë në rrezik. Nëse zyrtarët politikë ose ushtarakë nuk janë në lartësinë e detyrës, ata duhet që të shkarkohen.

Muajin e kaluar, një avion C-130 Hercules i Forcave Ajrore Boliviane që transportonte kartëmonedha u rrëzua në perëndim të vendit, duke vrarë të paktën 20 persona.