Bota

Rritet bilanci i viktimave për shkak të tornadove shkatërruese në SHBA, humbin jetën të paktën 70 persona

Të paktën 70 persona kanë humbur jetën deri tani dhe dhjetëra të tjerë janë të zhdukur si pasojë e tornadove shkatërrimtare që kanë përfshirë një pjesë të vendeve në SHBA.

Mediat e huaja bëjnë me dije se për shkak të fuqisë shkatërruese të tyre kanë humbur jetën 70 persona në Kentaki dhe janë rrënuar një numër i madh shtëpish dhe biznesesh përgjatë një vije prej 320 kilometrash.

Meterologët amerikanë thonë se tornadot e fuqishme janë të pazakonta gjatë muajve të ftohtë, prania e tyre ka shkatërruar një fabrikë karamelesh dhe stacioneve të zjarrfikësve të policisë në një qytet të vogël të Kentakit, si edhe një azil të moshuarish në Misurin fqinjë, dhe shkaktoi vdekjen e dy punonjësve në një magazinë të kompanisë Amazon në St. Louis.

Guvernatori i Kentakit Andy Beshear tha se vala e tornadove ishte më shkatërruesja në historinë e shtetit.

Për shkak të situatës së krijuar ai ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka aktivizuar Gardën Kombëtare të Kentakit si edhe ka dislokuar policinë e shtetit.