Aktualitet Live From Tirana

Rritja e çmimit të naftës dhe pasojat tek transporti publik, për këtë e shumë të tjera Rixhin Qoshja na flet në TAR!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar në studio, Rixhin Qoshja, kreu i Shoqatës së Transportit Publik në Shqipëri. Sa ka ndikuar rritja e karburantit në këtë sektor?

Të jemi realist së fundmi nga iniciativat e qeverisë kemi një lloj mbështetje por për një kohë të shkurtër që nuk i jep zgjidhje problematikave tona prej vitesh. Ne operojmë ndryshe nga çdo lloj operatori i këtij shërbimi jo në Europë por në vendet që na rrethojnë çka e bën të vështirë ofrimin e një shërbimi cilësor për përdoruesit e përditshëm. Politikat sociale të qeverisë qendrore apo lokale përballohen nga financat e operatorëve të transportit publik që janë kompani private. Kjo nuk është aspak normale. Problemi jonë nuk është vetëm çmimi i përcaktuar që nuk e ndryshojmë dot në varësi të çmimeve që na ofrohen për të ofruar këtë shërbim por problemi tjetër është mënyra si funksionin transporti publik. E kemi thënë që ky shërbim punon me humbje, në momentin kur secili nga operatorët, vendos të hyj në këtë treg ka lënë në kolateral të gjithë mundin e jetës së tij dhe do të bëjë çmos për të vazhduar.

A duhet të kemi në vend një transport publik më efikas, më modern?

Kjo do të kishte impakt nëse do të kishim metoda alternative të transportit. Nëse bazohemi në kushtet që jemi, nuk mendoj se është i nevojshëm transporti ‘underground’, në Tiranë mjafton të ndërtohet infrastruktura e korsisë së dedikuar transportit publik dhe kjo do të bëjë një mbërritje në kohën më të shpejtë të mundshme, pra që të eliminojmë vajtjen me automjet për të blerë cigare por me autobus, gjithmonë nëse i jepet mundësia për të lëvizur më shpejt se autovetura.

Sa e vështirë është të negociosh sot me politikanët?

Është e vështirë dhe stresuese kur nuk ke asnjë lloj reagimi për çdo propozim apo zgjidhje që jep. Kjo gjë veçanërisht ka ndodhur vetëm në sektorin tonë sidomos edhe në dy vitet e fundit pas pandemisë ku u ndodhëm përpara një bllokimi total.

Në Tiranë, sa njerëz punojnë në transportin publik?

Ka të punësuar rreth 1500 persona në Tiranë dhe në Shqipëri 10 mijë pa llogaritur vendet e punës që indirekt zhvillohen nga transporti publik.

Sa i takon implementimit të politikave për personat me nevoja të veçanta?

Duke filluar nga viti 2010 u vendosën standarde në lidhje me flotën që duhet të implementohet në transportin publik që sollën përmirësim në lidhje me personat me aftësi të kufizuar në lëvizje. Çdo autobus sot ka një ramp edhe pse nuk është e përdorshme, autobusët janë më platformë të sheshtë për një akses më të thjeshtë qoftë edhe për karrocat e fëmijëve. Për personat që nuk shohin është një mungesë totale, kjo kërkon iniciativ të madhe të publikut po deri më tani as nuk është folur. Kjo është një fatkeqësi, do të sillte fluks edhe më të madh të pasagjerëve.

A ka një marrëveshje paraprake me institucionet përkatëse që konsumatori mos të dëmtohet?

Në lidhje me luftën dua të them se luftën ne nuk e kemi këtu por në lidhje me çmimet të cilat janë impaktuar nga lufta i kemi çdo ditë. Ne si operatorë në asnjë moment nuk e kemi kërkuar rritjen e çmimit por kemi propozuar disa lehtësi fiskale të cilat do të bëjnë të mundur që çmimi të mos impaktohet. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje dhe u detyruam të kërkojmë rritjen e çmimit, ende sot çmimi nuk është ndikuar dhe nuk besoj se do të ketë rritje, jemi në fazën ku qeveria qendrore ka caktuar një mbështetje financiare për operatorët e transportit publik edhe pse për 3 muaj. Ne kërkojmë të dimë çfarë do të ndodh në vazhdimësi. Në lidhje me Bashkinë e Tiranës kemi arritur që këtë vit të funksionojë një subvencion që ka të bëjë me mungesën e fluksit të pasagjerëve që operatorët në Tiranë kanë hasur nga pandemia. Numri total i pasagjerëve ka një rënie me 55% nga para pandemisë. Është e papërballueshme për secilën nga kompanitë.