Shërbimi i transportit urban i kthehet normalitetit. Arrihet dakordësia mes ministrive dhe operatorëve të transportit publik për subvencionimin e naftës. Pas një takimi që nisi që në orët e para të mëngjesit, u vendos që transporti të kthehet në normalitet, operatorët do të përfitojnë subvencionim. Vlera pritet të përcaktohet në ditët në vijim.
Patëm një takim me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe kryetaren e bashkisë Tiranë, u dakordësuam që transporti do të rikthehet në normalitet dhe do të ketë subvencion lekë për litër, por do të jetë në diskutime si vlerë.
Nga sot do të vazhdojë transporti me kapacitet të plotë, se edhe operatorët duan ta ofrojnë shërbimin siç duhet për shkak të asaj që u pa këto dy ditë.
Do të kemi takim tjetër javën që vjen, për të diskutuar kërkesat e tjera ekonomike, si TVSH, akcizë, kategoritë që udhëtojnë falas, tha për Monitor, Dashnor Memaj, kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës.