Zyrtarët rusë dhe ukrainas sot ulen në qytetin turk të Stambollit për raundin e dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta për paqe që nga viti 2022, por të dyja palët ende janë larg njëra-tjetrës se si t’i japin fund luftës dhe luftimet po përshkallëzohen. Delegacioni rus mbërriti një ditë më parë në Stamboll, përpara bisedimeve të paqes me palën ukrainase të planifikuara.
Bisedimet midis delegacioneve zhvillohen në Pallatin Ciragan duke nisur nga ora 13:00 sipas asaj lokale (10:00 GMT), siç raportuan burime nga Ministria e Jashtme turke.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha më herët se ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov do të udhëheqë delegacionin e vendit të tij në raundin e dytë të planifikuar të negociatave të drejtpërdrejta me Rusinë. Raundi i parë i bisedimeve më 16 maj rezultoi në shkëmbimin më të madh të të burgosurve të luftës, por asnjë shenjë paqeje apo edhe një armëpushimi, pasi të dyja palët thjesht paraqitën pozicionet e tyre fillestare negociuese.
Të dielën, Ukraina nisi një nga sulmet e saj më ambicioze të luftës, duke synuar bombarduesit rusë me rreze të gjatë veprimi të aftë për të transportuar armë bërthamore në Siberi e të tjera baza ushtarake ndërsa Kremlini nisi 472 dronë drejt Ukrainës.
Ideja e bisedimeve të drejtpërdrejta u propozua për herë të parë nga presidenti Vladimir Putin, pasi Ukraina dhe fuqitë europiane kërkuan që ai të binte dakord për një armëpushim, të cilin Kremlini e hodhi poshtë. Putin tha se Rusia do të hartojë një memorandum që përcakton konturet e përgjithshme të një marrëveshjeje të mundshme paqeje dhe vetëm atëherë do të diskutojë një armëpushim.
Kievi u shpreh në fundjavë se mbetet në pritje të një draft-memorandumi nga pala ruse. Medinsky, negociatori kryesor i Kremlinit, tha dje se Moska mori një draft-memorandum të Ukrainës dhe i deklaroi agjencisë së lajmeve RIA të Rusisë se Kremlini do të reagonte ndaj tij ditën e sotme.
Sipas të dërguarit të presidentit Trump, Keith Kellogg, të dy palët do të paraqesin në Turqi dokumentet e tyre përkatëse që përshkruajnë idetë që kanë për kushtet e paqes, megjithëse është e qartë se pas tre vitesh lufte, Moska dhe Kievi mbeten larg njëra-tjetrës.