Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov njoftoi se raundi i dytë i negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës do të zhvillohet në Stamboll më 2 qershor.
“Delegacioni rus i kryesuar nga Medinsky është gati t’i paraqesë Ukrainës një memorandum mbi zgjidhjen e krizës ukrainase në Stamboll më 2 qershor”, tha ministri rus.
Takimi i parë i përfaqësuesve të Moskës dhe Kievit, pas tre vitesh, u zhvillua më 16 maj në Stamboll. Palët ranë dakord të kryenin një shkëmbim masiv të të burgosurve 1,000 për 1,000 dhe të paraqisnin vizionin e tyre për mundësitë e një armëpushimi në të ardhmen.
Ukraina kërkoi një takim të krerëve të shteteve në negociata, ndërsa Rusia e mori parasysh këtë kërkesë. Më herët gjatë ditës së sotme, këshilltari i Putinit, Vladimir Medinsky, tha se i telefonoi ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Rustam Umerov dhe i sugjeroi një ditë dhe vend të saktë për takimin e delegacioneve të të dy vendeve.
“Lexova lajmin e përhapur nga të gjitha agjencitë ndërkombëtare se Umerov gjoja më telefonoi në lidhje me memorandumin, të cilin, sipas pretendimeve të tyre, ne ende nuk e kemi përgatitur. Ata thonë se rusët nuk po nxitojnë. Gjithçka ishte pothuajse kështu. Përveçse e kundërta ishte e vërtetë”, u tha Medinsky gazetarëve.
Këshilltari i Putinit dhe kreu i delegacionit negociator rus dhe deklaroi se ka telefonuar Umerovin sot dhe ka propozuar një datë dhe vend specifik për një takim me qëllim shkëmbimin e memorandumeve.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së Donald Trump teksa foli për negociatat Rusi-Ukrainë i dha një goditje të re Presidentit Vladimir Putin.
‘Brenda dy javësh do ta dimë nëse Putini po tallet me ne. Ajo që Putini nuk kupton është se ai po luan me zjarrin!’, ky është paralajmërimi që Donald Trump i ka drejtuar liderit të Kremlinit përmes rrjetit të tij social, Truth.
Presidenti amerikan po shqyrton mundësinë për të vendosur sanksione ndaj Moskës që këtë javë, i zhgënjyer nga sulmet e vazhdueshme të ushtrisë ruse ndaj Ukrainës dhe nga ngadalësia e bisedimeve të paqes.
Bisedimet e 16 majit dështuan të arrinin një marrëveshje për një armëpushim, siç kërkuan Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë. Moska tha se duhet të përmbushen disa kushte përpara se një veprim i tillë të jetë i mundur.