Rusia ka propozuar një udhërrëfyes për normalizimin e marrëdhënieve mes Sirisë dhe Turqisë. Ky propozim u bë gjatë takimit të parë të ministrave të Jashtëm të këtyre shteteve që nga koha kur nisi lufta civile siriane, mbi një dekadë më parë. Gjatë këtij takimi, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi:
Detyra jonë është që të përcaktojmë udhëzimet e përgjithshme për progres të mëtejshëm.
Në këtë takim mori pjesë edhe një diplomat i lartë iranian, ndërsa Sergei Lavrov shtoi:
Rezultati më i mirë i diskutimeve tona do të ishte një marrëveshje për të udhëzuar ekspertët që të përgatisin një draft-udhërrëfyes për normalizimin e raporteve mes Sirisë dhe Turqisë në takimin e radhës së ministrave.
Kryediplomati i Moskës vuri në dukje se më pas, ky propozim do t’iu dërgohet liderëve të Rusisë, Iranit, Sirisë e gjithashtu Turqisë. Ankaraja zyrtare mbështet forcat rebele që po luftojnë për të rrëzuar nga pushteti presidentin sirian, Bashar al-Assad. Shteti turk ka prani ushtarake në pjesët veriore të Sirisë, një prezencë kjo që ka zemëruar Damaskun.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka përmirësuar raportet me ish-rivalët në mbarë rajonin dhe tani është përqendruar që të mbajë një samit me homologun e tij sirian, Bashar al-Assad. Lavrov tha se “Siria dhe Turqia duhet të nisin diskutimet për riparimin e infrastrukturës e të logjistikës, si dhe të rinisin tregtinë e bashkëpunimin ekonomik pa pengesa”.
Ndërmjetësimi i Kremlinit synon që t’i japë ndikim politik presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, shteti i të cilit është izoluar ndërkombëtarisht që kur nisi pushtimin e Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar. Madje, sot në Bruksel, BE-ja po përgatitet raundin e 11-të sanksioneve ndaj Moskës.
Prej kohësh, Damasku zyrtar gëzon mbështetjen e Moskës, që me trupa ruse ndërhyri në luftën civile të Sirisë, në vitin 2015, duke kryer sulme ajrore në mbështetje të forcave qeveritare siriane të al-Assadit.