Rusia njoftoi të premten se u kishte propozuar Shteteve të Bashkuara, një ditë më parë gjatë një takimi në Stamboll, të rivendosnin lidhjet e tyre ajrore të ndërprera për shkak të luftës në Ukrainë dhe kishte diskutuar zgjidhjen e “mosmarrëveshjeve të shumta” në marrëdhëniet e tyre, sipas një deklarate nga Ministria e Punëve të Jashtme ruse.
“Konkretisht, pala amerikane u ftua të shqyrtojë mundësinë e rivendosjes së lidhjeve direkte ajrore ”, thuhet në deklaratë.
Ky takim në Turqi, një ilustrim i rifillimit të kontakteve mes Presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin, u fokusua në lehtësimin e punës së ambasadave të tyre përkatëse, një hap në rivendosjen e marrëdhënieve midis Moskës dhe Uashingtonit.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenksyy pritet të takohet sot me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet kritike, ndërsa Kievi përpiqet të rifitojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për t’u përballur me sulmin në shkallë të gjerë nga Rusia.
Marrëveshja për mineralet, e negociuar përgjatë ditëve të fundit, do t’i jepte Shteteve të Bashkuara qasje të kosniderueshme tek mineralet e rralla të nëntokës ukrainase, por nuk përfshin dhënien e garancive të sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, një zhgënjim për Ukrainën.
Marrëveshja i jep Uashingtonit mundësinë që të kompensojë një pjesë nga miliarda dollarët që ka shpezuar për mbështetjen e Kievit me armatime amerikane, përmes një fondi investimi për rindërtim të lidhur me shitjen e mineraleve të rralla të Ukrainës.
Sipas një raporti të vitit të shkuar të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, rreth 2/ 3 e fondeve të miratuara nga Kongresi për Ukrainën, janë shpenzuar në Shtetet e Bashkuara.
Ukraina shpreson që marrëveshja do të nxisë Presidentin Trump të mbështesë përpjekjet e Kievit për të rimarrë territoret që aktualisht kontrollohen nga Rusia.
Marrëveshja po ashtu mund të siguronte mbështetje nga Republikanët në Kongres për një raund të ri ndihme për vendin e goditur nga lufta.
Presidenti Trump është përplasur në distancë me homologun Zelenskyy gjatë javëve të fundit, duke e kritikuar atë për mënyrën se si e ka menaxhuar luftën, duke e cilësuar atë si një diktator dhe duke i bërë thirrje që të pranojë marrëveshjen për mineralet.
Por gjatë konferencës së përbashkët për shtypin me kryeministrin britanik Keir Starmer të enjten, Presidenti Trump, i pyetur mbi deklaratën referuar zotit Zelenskyy se ishte diktator, u shpreh: “E kam thënë një gjë të tillë? Nuk e besoj dot që jam shprehur ashtu”.
Presidenti Trump po ashtu vuri në dukje se priste me interes takimin me Presidentin Zelenskkyy dhe vlerësoi ushtrinë ukrainase për guximin që ka treguar.
“Besoj se po punojmë shumë fort për t’i dhënë fund luftës. Besoj se kemi bërë shumë përparim dhe po ecim përpara me shpejtësi”, tha Presidenti Trump.
“Ose kjo luftë do të marrë fund së shpejti, ose nuk do mbarojë kurrë”, shtoi ai, por pa arsyetuar më tej.