Bota

Rusia shpall si organizatë të padëshirueshme grupin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, Amnesty International

Rusia e ka shpallur “organizatë të padëshirueshme” grupit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, Amnesty International.

Vendimi i autoriteteve ruse të hënën nënkupton se Amnesty International është e jashtëligjshme në Rusi dhe se bashkëpunimi me të është i dënueshëm sipas ligjit rus.

Prokurori i përgjithshëm i Rusisë tha në një komunikatë të hënën se ky veprim u mor sepse Amnesty International është “qendra e përgatitjes së projekteve rusofobike në botë”. Amnesty International nuk e ka komentuar lajmin ende.

Kjo organizatë e ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1977 për “mbrojtjen e dinjitetit njerëzor kundër torturës” dhe Çmimin e Kombeve të Bashkuara në Fushën e të Drejtave të Njeriut në vitin 1978.

Prokurori i përgjithshëm rus gjithashtu e akuzoi Amnesty-n se po “bënte gjithçka” për ta ndihmuar përshkallëzimin e përplasjes ushtarake, duke përfshirë edhe justifikimin e “krimeve të neo-nazistëve ukrainas”.

Kremlini ka pretenduar vazhdimisht dhe rrejshëm se Ukraina udhëhiqet nga grupe “radikal nacionaliste dhe neo-naziste”, dhe e ka përdorur këtë si një nga arsyet për nisjen e pushtimit të plotë të fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.