Bota

Vijojnë sulmet amerikane ndaj Iranit, Teherani kërcënon!

24 orët e fundit, Amerika ka ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ajrore ndaj Iranit ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme raketore kundrejt objektivave amerikane në rajon dhe me masa të reja që kanë ndikuar transportin detar ndërkombëtar në Ngushticën strategjike të Hormuzit.

Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), përgjegjëse për operacionet në Lindjen e Mesme, njoftoi se ka përfunduar një tjetër seri sulmesh ajrore.

Sipas njoftimeve zyrtare, operacionet kanë goditur qendra komandimi ushtarake, sisteme të mbrojtjes ajrore, instalime të mbikëqyrjes bregdetare, si dhe infrastrukturë të lidhur me raketat dhe dronët.

Garda Revolucionare iraniane njoftoi se kreu sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në rajon, duke përdorur raketa balistike.

Sulmet shkaktuan dëme në disa pajisje dhe sisteme ushtarake amerikane, ndërsa Uashingtoni ende nuk ka dhënë një vlerësim të plotë për pasojat.

Në të njëjtën kohë, tensionet u zhvendosën edhe në frontin detar. Irani ndaloi dy cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, duke pretenduar se shkelën rregullat e kalimit dhe nuk kishin autorizimin e nevojshëm.

Presidenti Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë operacionet ushtarake kundër Iranit. Duke folur për gazetarët në Uashington, Trump tha:

Sulmet janë kryer edhe në përgjigje të vdekjes së ushtarëve amerikanë në rajon. Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e nevojshme. Objektiv është dobësimi i kapaciteteve ushtarake iraniane.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kërkoi një reagim më të madh nga aleatët ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Iranit në Hormuz.