Bota

Sanae Takaichi, gruaja e parë kryeministre në Japoni!

Konservatorja e linjës së ashpër, Sanae Takaichi është zgjedhur gruaja e parë kryeministre e Japonisë, e cila pritet të drejtojë shtetin si politikane e djathtë. Ish-ndihmëse e kryeministrit Shinzo Abe dhe admiruese e ish-kryeministres britanike, Margaret Thatcher, Takaichi siguroi 237 vota në Dhomën e Ulët të Parlamentit, nga 465 gjithsej.

Fitorja e saj shënon një moment të rëndësishëm për vendin aziatik në të cilin gjithnjë kanë udhëhequr burrat. Pritet që Takaichi të ketë qëndrim më të ashpër në tema si emigracioni dhe çështjet sociale.

Japonia është duke u përballur me rritje të çmimeve, situatë që ka rritur zemërimin publik dhe po ashtu  ka rritur mbështetjen për grupet e së djathtës.

Ndonëse ka fituar mjaftueshëm vota për pozitën e kryeministres, shefes së re të qeverisë japoneze do t’i duhet mbështetje më e madhe e partive opozitare për të drejtuar në mënyrë efektive.

Takaichi pritet ta bëjë betimin mbrëmjen e sotme. Emërimi i saj erdhi pasi kryeministri në ikje, Shigeru Ishiba ka dhënë dorëheqje një muaj më parë, duke marrë mbi vete përgjegjësinë për humbjen e partisë së tij në zgjedhjet politike.