Shkencëtarët nga Universiteti i Kolumbias dhe Shkolla e Mjekësisë Icahn në Malin Sinai kanë zhvilluar një terapi të re që ofron mbrojtje të përkohshme kundër çdo virusi. E frymëzuar nga një mutacion shumë i rrallë gjenetik që u jep disa njerëzve imunitet natyror, terapia funksionon duke aktivizuar dhjetë proteina mbrojtëse përmes ARN-së mesazhere, të ngjashme me vaksinat mRNA.
Kjo terapi parandaluese është testuar me sukses te minjtë dhe pengoi replikimin e gripit dhe SARS-CoV-2, duke reduktuar simptomat. Detajet janë publikuar në Science Translational Medicine. Mbrojtja zgjat 3-4 ditë dhe mund të shërbejë si armë kundër pandemive të ardhshme, veçanërisht për personelin shëndetësor dhe individët me rrezik të lartë, ose anëtarët e familjes së personave të infektuar.
Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve për Njerëzit ka njoftuar fillimin e tërheqjes graduale nga financimi federal për vaksinat që përdorin teknologjinë mRNA. Ky vendim është bërë i ditur nga agjencia BARDA (Autoriteti për Zhvillim të Avancuar Biomjekësor dhe Kërkim), dhe përfaqëson një ndryshim të madh në strategjinë e vaksinimit pas pandemisë në SHBA.
“Kemi analizuar me kujdes të dhënat, kemi konsultuar ekspertë dhe kemi marrë vendimet më të përshtatshme”-deklaroi sekretari Robert F. Kennedy Jr. Si pjesë e kësaj strategjie të re, do të ndërpriten 22 projekte zhvillimi për vaksina mRNA, të cilat janë vlerësuar si jo mjaftueshëm efektive në parandalimin e infeksioneve të rënda respiratore si Covid-19 dhe gripi.