Aktualitet

Seanca e parë gjyqësore e dosjes “Partizani”, mungon Berisha/Malltezi: Gjueti shtrigash!

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO shtyu për më 7 korrik seancën për Jamarbër Malltezin, i cili ka kërkuar revokimin e masës së sigurisë “Arrest shtëpie”. Në një deklaratë për mediat, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha tha se procesi ndaj tij dhe të pandehurve të tjerë të dosjes “Partizani” është një “gjueti shtrigash”.

Duke folur jashtë mjediseve të Prokurorisë së Posaçme, Malltezi pretendoi se gjithçka është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe se “prokurorët e posaçëm kanë zbatuar urdhrat e tij.

Që nga dita e parë dihet që është një çështje qesharake politike. Gjueti shtrigash ku gënjyen pasi doli që toka është e tironsve. Menjëherë pas urdhrit të Ramës, në Kongresin e PS-së në prill 2022, prokurorët kanë bërë 16 kërkesa brenda muajit në të gjitha institucionet. Ne do të përballemi me këtë çështje, por në thelb është një çështje pa fakt penal që nisi me kallëzim të rremë të Taulant Ballës, tha Malltezi.

Për të, Berishën, biznesmenin Fatmir Bektashi, Xhimi Begenë dhe Andia Pustinën zhvillohet e para seancë në GJKKO lidhur me dosjen e privatizimit të klubit sportiv Partizani.  Ish-kryeministri nuk është paraqitur, por përfaqësohet nga avokati Genc Gjokutaj. Të pranishëm janë dhëndri Malltezi dhe Xhimi Begeja.

Për dosjen, shorti caktoi gjyqtarët Elsa Ulliri si kryesuese, si dhe Bib Ndreca e Rudina Palloi si anëtarë të trupit gjykues. Por, Ulliri ka paraqitur kërkesën për dorëheqje, me argumentin se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri. Dosja kaloi për gjykim më 19 maj.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv. Jamarbër Malltezi për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Sipas SPAK-ut, ka përfituar të ardhura në vlerën 5.4 milion euro nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë kur kryeministër ishte vjehrri i tij, Sali Berisha, i cilo është nën masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje”.

Fatmir Bektashi është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Trashëgimtari i tokës, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, akuzohen për pastrim parash. Po për pastrim parash, në gjyq u dërguan edhe kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” e “Studio Pustina”.