Aktualitet

Seanca paraprake në GJKKO për Veliajn, kryebashkiaku i Tiranës në sallën e gjyqit!

Pasi përkohësisht la qelinë e paraburgimit të Durrësit ku qëndron prej 10 muajsh, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ndodhet në mjediset e Gjykatës së Posaçme në kryeqytet, për seancën gjyqësore të shqyrtimit paraprak të dosjes ndaj tij e të pandehurve të tjerë.

Gjykata pritet të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet në SPAK për hetime të mëtejshme. Seanca e kaluar paraprake u shty për shkak se pala mbrojtëse kërkoi kohë që të njihet me aktet e dosjes.

Veliaj u shpreh se beson dhe e respekton drejtësinë, por vuri në dukje se duhet t’i respektohen të drejtat themelore.  Ndërkaq, bëri të ditur se ende nuk i është vënë në dispozicion një kopje fizike e akteve.

Eshtë hera e parë që paraqitem personalisht në këtë fazë gjyqësore. Dua ta nis duke e bërë të qartë se kjo vonesë nuk ka ardhur kurrë për mungesë respekti ndaj këtij trupi gjykues, as ndaj gjykatës e aq më pak ndaj drejtësisë. Përkundrazi, pikërisht sepse besoj dhe e respektoj drejtësinë, pikërisht sepse e respektoj rolin e gjykatës dhe standardet që duhet të udhëheqin një proces të drejtë, kam kërkuar pa asnjë ndërprerje, në gjithë këta muaj, drejtësi dhe standarde të larta në zbatimin e saj.

Gjatë gjithë këtyre muajve kam kërkuar vetëm të drejta elementare, të drejta që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia garanton çdo qytetari pa përjashtim, por që mua, deri më sot, nuk më është bërë e mundur t’i ushtroj.

Kam kërkuar dinjitet dhe të kem akses të plotë, të pakufizuar e real, si dhe kohën e kushtet e nevojshme për të lexuar aktet, provat dhe çdo deklarim mbi të cilat është ndërtuar akuza që më ka sjellë para jush dhe më ka vendosur në izolim.

Gjithashtu, Veliaj ritheksoi se gjatë gjithë kësaj kohe ka kërkuar vetëm të drejtat elementare, duke nënvizuar se:

Janë të drejta që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia garanton çdo qytetari pa përjashtim, por që mua, deri më sot, nuk më është bërë e mundur t’i ushtroj.

Erion Veliaj akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.