Në konferencën e mbajtur për 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë, kryeministri Edi Rama deklaroi se ky është i vetmi institucion që plotëson kushtet për t’u quajtur i tillë. Këtë 100-vjetor, Rama e konsideroi si një moment të rëndësishëm, ndërsa theksoi se BSH është modeli si duhet të jenë institucionet e pavarura të vendit.
Rama theksoi se Banka e Shqipërisë plotëson standardet e institucioneve që i nevojiten vendit për të përmbushur kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe tryezën e familjes europiane.
Moment i rëndësishëm i jetës së Bankës së Shqipërisë. Detyra e Bankës së Shqipërisë, garantimi që në afatshkurtër gjithçka të jetë brenda kornizës së një afati të gjatë.
BSH është në mos i vetmi, ndër shumë të paktit institucione të Republikës sonë që mund të quhet i tillë me plot gojën: Institucion. Me atë kuptim e standarde që kemi parasysh kur flasim për institucionet që i duhen një vendi dhe që bëjnë që ky vend të përmbushë kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe tryezën e familjes europiane.
S’është e lehtë të thuhet e njëjta gjë për plot institucione të tjera, të cilat me plot kuptimin e fjalës, janë në formim e sipër.
Do të ishte e dobishme që historia e zhvillimit dhe përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për t’u formësuar e konsoliduar si institucion të merrej përsipër e të shkruhej, për t’u dhënë të tjerëve një pasqyrë të rrugës si u ngrit një institucion i tillë që sot është plotësisht i integruar në botën ku jetojmë. Ky është institution që na përfaqëson si model i asaj që duhet të jenë institucionet e pavarura të vendit.
Kreu i qeverisë shtoi se krahas politikës monetare për të cilën duhet një menaxhim i mirë, gjithashtu duhen mekanizma të rinj kontrolli për të përqafuar faktet e reja të imponuara nga ndryshimet e zhvillimet e kohës.
Krahas politikës monetare, duhen mekanizma të rinj kontrolli në funksion të menaxhimit të algoritmeve, por dhe një mendje shumë më e hapur për të përqafuar faktet e reja të imponuara nga zhvillime që tanimë nuk i kontrollojmë dot. Duhet të bëjmë çmos që të mos na kontrollojnë.
Për bankat qendrore që kanë institucione të vendosura thellë në histori, vijnë si institucione të rritura dhe të konsoliduara me vetëdijen që duhet të ruajnë stabilitetin, kjo kohë është një sfidë e jashtëzakonshme.