Aktualitet

Sektori prodhues në vend, në fazë të gjatë recesioni!

Në vendin tonë, sektori prodhues ka hyrë në fazë të gjatë recesioni. Të dhënat e fundit të INSTAT-it tregojnë se bujqësia ra për të katërtin vit radhazi më 2024-ën ndërsa industria, për të dytin. Prodhimi bujqësor ra me -1.1% më 2024-ën nga -1.8 më 2023-shin. Industria shënoi rënie me -6.7%, më e forta që nga pandemia 2020.

Në sektorin e bujqësisë ishin të punësuar 32.2% e totalit të punonjësve dhe në industri, afro 13.4%. Të dy këta sektorë kontribuuan në 45.7% të totalit të punësimit më 2023-shin, sipas INSTAT-it. Që nga viti 2019, kontributi i bujqësisë në punësim erdhi më rënie me 4 pikë për qind dhe industria mbajti të njëjtën peshë.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se bujqësia është në trajektore rënëse të fortë, kryesisht për shkak të zhvillimeve negative në fermat familjare të sektorit të blegtorisë. Në dekadën e fundit, numri i kafshëve për qumësht dhe mish gati është përgjysmuar prej falimentit të fermave të vogla.

Rënia e popullsisë në fshatra dhe plakja e saj ka bërë që fermat e vogla familjare me kafshë të shuhen. Për të njëjtat arsye ka rënë edhe prodhimi bujqësor në fushë. Fermat familjare për vetë-konsum janë në faliment të vazhdueshëm nga pakësimi dhe plakja e popullsisë në fshat.

Prodhimi bujqësor po organizohet në formë biznesesh, me sera për eksport. Për shkak të këtij tranzicioni, tani fermerët që prodhonin për vetë-konsum janë kthyer në konsumatorë që nxisin rritjen e importeve të prodhimeve bujqësore nga jashtë. Në bashkitë e vogla pothuajse nuk ka ma tregje fshatarësh.

Prodhimi bujqësor është ndikuar negativisht edhe nga mungesa e subvencioneve dhe bllokimi i fondeve IPARD. Këtë vit, financimet nga skema kombëtare janë rreth 75 milion euro, nga të cilat 70% shpenzime operacionale dhe vetëm 30% e fondit është investim që shton prodhimin.

Sektori i industrisë hyri në vitin e dytë të rënies më 2024-ën, prej faktorëve që kryesisht lidhen me rënien e vlerës së euros dhe rritjes së kostove të brendshme. Rënia e euros nga niveli 122 lekë më 2021-shin, në më pak se 100 lekë vitin e kaluar, uli të ardhurat e eksportuesve duke bërë që shumë kompani të mbyllin aktivitetin.

Vetëm fabrikat e veshjeve dhe këpucëve kanë shkurtuar gati një të pestën e vendeve të punës vitin e kaluar, sipas të dhënave nga statistikat afatshkurtra.

Modeli ekonomik i vendit po zhvendoset me shpejtësi nga prodhimi te shërbimet dhe tregtia, pas një përpjekjeje për dekada, për të krijuar produkte “Made in Albania”. Ekspertë të ekonomisë mendojnë se përgjithësisht, prodhimi integron ekonomitë në zinxhirët e lartë të vlerës. Psh, gjatë pandemisë COVID-19, ku bota u vendos nën masa kufizuese, vendet që kishin ekonomi prodhuese shënuan rënie me të ulët se ato që ishin të bazuara në shërbime e sidomos turizëm./Monitor