Rreth dy javë pas publikimit të remiksit të ri të DJ Gimbos dhe Rezarta Shkurtës, projekti muzikor vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut dhe të grumbullojë mijëra shikime në platformat online.
Protagoniste e videoklipit ishte fituesja e edicionit të fundit të Big Brother VIP Albania, Selin Bollati, e cila ka ndarë së fundmi me ndjekësit disa momente të veçanta nga prapaskenat e xhirimeve.
Balerina dhe ish-banorja e formatit publikoi në rrjetet sociale një seri fotografish, ndërsa në kanalin e saj në YouTube ndau edhe një vlog ku tregon detaje që publiku nuk i ka parë në videoklip.
Në pamjet e publikuara, Selini shfaqet duke kaluar momente të këndshme gjatë xhirimeve, ndërsa ndan me ndjekësit atmosferën e punës, raportin me DJ Gimbon dhe emocionet që ka përjetuar gjatë realizimit të projektit.
Ajo zbulon gjithashtu disa prapaskena dhe situata spontane që nuk u përfshinë në videoklipin zyrtar, duke u dhënë fansave mundësinë të shohin një anë më personale të realizimit të këngës.
Projekti muzikor është pritur mjaft mirë nga publiku, duke arritur mbi 1.3 milion klikime në YouTube vetëm pak javë pas publikimit.
Historia mes Selin Bollatit dhe DJ Gimbos nisi gjatë qëndrimit të tyre në Big Brother VIP Albania, ku njohja e tyre u shndërrua në një histori dashurie që vazhdoi edhe pas përfundimit të spektaklit.
Sot, çifti po shijon lidhjen larg kamerave, ndërsa kanë nisur edhe bashkëjetesën në Tiranë, duke kaluar gjithnjë e më shumë kohë pranë njëri-tjetrit dhe duke ndarë me ndjekësit momente nga përditshmëria e tyre.