Një bashkëpunim mes dy prej yjeve më të mëdha të muzikës botërore mund të mos jetë më vetëm një ëndërr e fansave. Këngëtarja kolumbiane Shakira ka shprehur publikisht dëshirën për të bashkëpunuar me artisten shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.
Shakira, e cila prej dekadash dominon skenën muzikore globale me hitet e saj dhe mbetet një nga artistet më të suksesshme në botë, bëri deklaratën gjatë një episodi të podcastit të vlogeres së njohur Lele Pons.
Gjatë bisedës, Lele e pyeti artisten se me cilin këngëtar apo këngëtare do të dëshironte të bashkëpunonte në të ardhmen. Pa hezitim, Shakira përmendi emrin e Dua Lipës.
Do të më pëlqente të bashkëpunoja me Dua Lipën. Dua Lipa, a po më dëgjon? A e dini që ajo flet spanjisht?
-tha këngëtarja me entuziazëm.

Deklarata e saj ka ngjallur menjëherë reagime në rrjetet sociale, ku fansat e të dy artisteve kanë nisur të imagjinojnë se si mund të tingëllonte një bashkëpunim mes tyre.
Në të njëjtën bisedë, Lele Pons e përshkroi Dua Lipën si “të mrekullueshme”, ndërsa Shakira nuk i kurseu fjalët e mira për këngëtaren shqiptare.
Ajo është e jashtëzakonshme
-u shpreh artistja kolumbiane.
Dua Lipa, e cila prej vitesh ka ndërtuar një karrierë të suksesshme ndërkombëtare me hite që kanë kryesuar klasifikimet muzikore, njihet gjithashtu për faktin se flet spanjisht, gjë që mund ta bënte edhe më të natyrshëm një bashkëpunim me Shakirën.
Edhe pse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për një projekt të përbashkët, deklarata e Shakirës ka mjaftuar për të ndezur entuziazmin e publikut, duke bërë që shumë fansa të shpresojnë se dy artistet mund të bashkojnë forcat në një hit të ardhshëm ndërkombëtar.