Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar pa afat dialogun me Kosovën. Lajmi është bërë zyrtarisht i ditur nga ambasada amerikane në Prishtinë.
Për pezullimin e dialogut, SHBA akuzon qeverinë Kurti, që është ende në detyrë.
Ambasada amerikane në Prishtinë thotë se Qeveria Kurti ka rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë me veprimet e saj.
“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e tyre Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë së përkohshme që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri i Përkohshëm Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Pas këtij vendimi të SHBA-së të njoftuar nga ambasada në Prishtinë, reagoi edhe Qeveria e Kosovës përmes zëdhënësit të saj Përparim Kryeziu.
Ky i fundit shprehet se Qeveria Kurti është e vetmja që ka arritur të çojë deri në fund mandatin, teksa ka theksuar se stabiliteti që ekziston në vend është fryt i sundimit të ligjit.
Sipas Kryeziut, gjatë qeverisjeve të mëparshme në Kosovë, stabiliteti ka qenë i gënjeshtërt, kjo doli në pah, sipas tij, gjatë sulmit në Banjskë në maj të vitit 2023.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur “keqardhje dhe shqetësim të thellë” lidhur me vendimin e Shteteve te Bashkuara për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik.
“Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, shkroi Osmani.
Kosova dhe SHBA-ja pritej ta finalizonin dialogun strategjik këtë vit, pasi presidentja Osmani pati njoftuar në janar për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve për një dialog të tillë.
Ambasada amerikane tha të premten se dialogu strategjik ishte menduar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike në të mirë të popullit amerikan dhe atij të Kosovës.
“Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij të Kosovës. Shpresojmë të ndjekim përpjekje të tilla në të ardhmen kur të jetë e përshtatshme. Ne e dimë se ky është një qëllim i prioritizuar nga populli i Kosovës”, shkroi ambasada.