E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, tha se Uashingtoni është i zhgënjyer me qëndrimet e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, që sipas saj, po rrisin “paqëndrueshmërinë në Kosovë”.
Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike, tha diplomatja amerikane në një përgjigje për Kohën.
Shtetet e Bashkuara janë duke e shqyrtuar përgjigjen e tyre, por më lejoni të jem e qartë: çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë.
Kohët e fundit, Kurti i cili njëherazi është drejtues i Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vonesa në vendimet gjatë mandatit të tij, si dhe e ka akuzuar institucionin më të lartë të shtetit për njëanshmëri, duke thënë se është i afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Kushtetuesja ka reaguar ndaj këtyre deklaratave të Kurtit dhe të nënkryetarit të LVV-së, Glauk Konjufca, duke thënë se paanshmëria e saj janë të mbrojtura me Kushtetutë dhe asnjë “institucion, parti politike apo individ nuk mund t’i ndërhyjë në punën e brendshme”.
Kushtetuesja po trajton një çështje të dërguar nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë dhe që ka mbështetjen e Beogradit pasi kundërshton ndarjen e votimit për nënkryetarin e Kuvendit nga pakicat joserbe me atë nga komuniteti serb.
Gjykata ka vendosur një masë të përkohshme, që parandalon çdo veprim në Kuvend deri më 30 shtator si dhe çdo procedurë për zgjedhjen e qeverisë së re.
Po ashtu, partia e Kurtit ka bërë përpjekje, të pasuksesshme, për t’ia ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ndonëse në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u votua për moscertifikimin e kësaj partie, instancat më larta, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe Gjykata e Lartë, e rrëzuan këtë vendim.