Rajoni

SHBA-të kërkojnë nga Kosova e Serbia të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit!

Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland përsëriti kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejtuar Kosovës dhe Serbisë lidhur me nisjen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Nuland foli pas një takimi me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirosllav Lajçak. Gjithashtu, zyrtarja e Uashingtonit theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin “planin trepikësh të Bashkimit Europian, si mënyrën më të mirë për të zgjidhur krizën” në veri të Kosovës.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje drejt normalizimit të raporteve më 27 shkurt në Bruksel, si dhe u pajtuan për Aneksin e Zbatimit të saj në Ohër, në datën 18 mars.

Edhe Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Por, situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe është tensionuar që nga data 26 maj, ditë kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut që të hynin në ndërtesat komunale. Serbë lokalë kanë protestuar që nga ajo ditë.

Në lidhje me situatën në veri, komuniteti ndërkombëtar i ka shprehur tre kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Një prej tyre ka të bëjë me shtensionimin e situatës atje. Dy të tjerat lidhen me mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Në anën tjetër, Albin Kurti e ka prezantuar ditë më parë një plan pesëpikësh për uljen e tensioneve në veri.

Ndërkaq, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar paralajmëroi se tensionet mes Kosovës e Serbisë kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”. Këto deklarata i bëri në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington.