Sport

Shehi rikthehet bardheblu, fjalët e para si trajner i Tiranës: Ishte një zgjedhje zemre…dhe prej tifozi!

Orges Shehi është sërish trajner i Klubit të Futbollit Tirana.

Tekniku durrsak rikthehet në krye të bardhebluve në një moment delikat të sezonit, duke u bërë kështu njëri nga emrat më të lidhur me historinë e fundit të skuadrës më të titulluar shqiptare.

Shehi e njeh mirë Tiranën dhe Tirana e njeh mirë atë. Gjatë mandatit të tij të parë, tekniku drejtoi bardheblutë për më shumë se dy vjet e gjysëm, nga janari i vitit 2021 deri në tetorin e vitit 2023, duke drejtuar mbi 120 ndeshje zyrtare. Në këtë periudhë, Tirana fitoi titullin kampion të Kategorisë Superiore dhe Superkupën e Shqipërisë, duke e bërë Shehun trajnerin më jetëgjatë të bardhebluve prej dekadash. Shifrat tregojnë një bilanc pozitiv me mbi 60 përqind fitoresh gjatë drejtimit të tij.

Pas largimit nga Tirana, Shehi mori drejtimin e Ballkanit të Kosovës, por rruga e tij kthente sytë gjithmonë nga Tirana.

LEXO EDHE: Pritet vetëm zyrtarizimi, e bëjnë fakt të kryer shkarkimin e Nuhijut nga Tirana! Dihet kush do e zëvendësojë te bardheblutë…

Tani është zyrtare. Dhe deklarata e parë erdhi ekskluzivisht për gazetarin Endi Tufa të Top Channel.

“Ishte zgjedhje zemre dhe tifozllëku. Do të përpiqemi të kalojmë këtë situatë kritike,” tha Shehi, fjalë të pakta, por me peshë të madhe për tifozët bardheblu që presin ringritjen. Kontrata paraprake do të jetë deri në fund të sezonit, për tu përpjekur të kalojë këto vështirësi dhe siç thotë vetë trajneri durrsak: “Tirana nuk e meriton këtë situatë dhe këtë pozicion…

Situata në klasifikim e bën këtë rikthim edhe më të rëndësishëm. Drejtuesit e Tiranës kanë zgjedhur përvojën dhe njohurinë e brendshme mbi çdo alternativë tjetër. Shehi ka pranuar sfidën. Tani fillon puna.

LEXO EDHE: Trajneri i Bodo/Glimt i përgjigjet ankesave të Interit për fushën: Edhe City aty luajti, por nuk tha gjë!

Tirana ka zyrtarizuar përpara pak minutash largimin e trjnerit Ardian Nuhiu. Klubi bardheblu ka ndërprerë bashlëpunimin me teknikun, pas rezultateve të dobëta në kampionat. Dy humbjet e fundit, ajo në derbi dhe më pas ndaj Teutës, rezultuan fatale për Nuhiu, i cili drejtoi kryeqytetasit për 18 ndeshje.

“Klubi i Futbollit Tirana njofton se bashkëpunimi me trajnerin Ardian Nuhiu është ndërprerë në mënyrë konsensuale. KF Tirana shpreh falënderimet më të sinqerta për trajnerin Ardian Nuhiu për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë drejtimit të skuadrës sonë”.