Jeta e Luis Hamilton ndryshoi rrënjësisht mbrëmjen e 12 dhjetorit 2021 në Abu Dhabi. Pas një gare të shkëlqyer me gomat më të forta, ai kishte në dorë titullin e tij të tetë botëror. Ishte numri magjik që do ta vendoste të vetëm në krye të historisë së Formulës 1, përpara Mikael Shumakerit. Për më tepër, do të vinte pas një dueli epik me Maks Vershtapenin, pa pasur epërsi të qartë teknike nga asnjëra palë. Por, hyrja e makinës së sigurisë ndryshoi gjithçka. Diferenca u zhduk, Vershtapen iu afrua Hamiltonit dhe piloti i Red Bull ndryshoi rrjedhën e historisë së Formulës 1. Që nga ajo natë, Hamilton nuk ishte më i njëjti. Titulli nuk erdhi kurrë, ndërsa Formula 1 hyri në një epokë të re. Rregullorja e efektit tokësor solli makina që nuk iu përshtatën kurrë plotësisht stilit të britanikut.
Ai arriti të fitonte disa gara, por karakteristikat që e bënë legjendë, frenimet e vona dhe agresiviteti në hyrje të kthesave, u zbehën me makinat më të mëdha dhe më të vështira për t’u menaxhuar. Për të thyer këtë cikël, Hamilton vendosi të transferohej te Ferrari. Por fillimisht, gjërat nuk shkuan sipas planit. Ai mbërriti në Maranelo si një ikonë. U përpoq të fitonte zemrat e tifozëve ferraristë duke përqafuar traditat dhe simbolikat e ekipit, por në pistë magjia mungonte. Sezoni 2025 ishte aq i vështirë sa shumëkush mendoi se karriera e tij po i afrohej fundit. Ai fitoi vetëm një garë sprint, nuk arriti asnjë podium, për ta mbyllur vitin i zhytur në dyshime. “Jam i pavlefshëm, Ferrari duhet të kërkojë një pilot tjetër”, deklaroi ai pas një gare, i dëshpëruar dhe i zhgënjyer.
Një sezon i tillë do të kishte shkatërruar karrierën e shumicës së pilotëve. Por Hamilton hyri në vitin 2026 me një mentalitet krejtësisht të ri. Ai la pas shpërqendrimet jashtë pistës dhe u përqendrua plotësisht te gara. Makina e re e Ferrarit i përshtatet shumë më tepër stilit të tij. Ajo lejon më shumë agresivitet në kthesa dhe i jep mundësinë të shfrytëzojë cilësitë që e kanë bërë shtatë herë kampion bote. SF-26 nuk konsiderohet makina më e mirë e kampionatit, por është një bazë solide për të luftuar në krye. Vetë Hamilton ka pasur ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e saj. Për herë të parë, ai ndien se Ferrari po dëgjon kërkesat e tij dhe po i jep rol të rëndësishëm në vendimmarrje, në të njëjtin nivel me Sharl Lëklerkun.
“Vij nga një vit i vështirë dhe kam parë ndryshime pozitive. Megjithatë, ende kemi shumë gjëra për të përmirësuar”, deklaroi britaniku.
Puna e bërë u shpërblye në Barcelonë. Gjithçka funksionoi në mënyrë perfekte: ritmi i pilotit, strategjia pa gabime dhe menaxhimi i shkëlqyer i konsumimit të gomave. Një periudhë me makinë sigurie virtuale e favorizoi dhe ai arriti të lërë pas Mercedesët. Ishte rezultati që i nevojitej. Ishte prova se Luis Hamilton ishte rikthyer.
“Pas një viti kaq të keq, ka momente kur mendon se ndoshta e ke humbur nivelin tënd. Por sot kam treguar se nuk është kështu”, u shpreh 44-vjeçari. Tani ai ndodhet 41 pikë pas liderit Kimi Antoneli, por lufta për kampionatin mbetet e hapur. Hamiltoni i ri është gati të ndjekë ëndrrën që i rrëshqiti nga duart në atë natë dramatike të Abu Dabit: titullin e tetë botëror.