Sherri i djeshëm mes disa të miturve në Tiranë dhe që përfundoi me plagosjen e dy prej tyre, të moshave 10 e 14 vjeç, policia njofton procedimin penal të dy 14 vjeçarëve e të një 15 vjeçari. Ngjarja e një dite më parë ndodhi në afërsi të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre mjete prerëse, si dhe lëndë piroteknike (flakadanë e fishekzjarrë), krahas një shkopi, send i fortë.
Njoftimi zyrtar i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 proceduan penalisht 3 shtetas të mitur të moshave 14, 14 dhe 15 vjeç, pasi ditën e djeshme, në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, janë konfliktuar, dyshohet me sende të forta, me disa bashkëmoshatarë të tyre.
Si pasojë janë dëmtuar dy të mitur të moshave 10 dhe 14 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre mjete prerëse, lëndë piroteknike (flakadanë dhe fishekzjarrë) dhe një send i fortë (shkop).
Kjo ngjarje pason atë tronditëse të 18 nëntorit, po në kryeqytet e ku pranë shkollës 9 vjeçare “Fan Noli”, një sherr mes të miturve i mori jetën Martin Canit, 14 vjeç, i cili u godit me thikë. Të plagosur mbetën shoku i viktimës e autori i dyshuar, po të moshës 14 vjeç.