Aktualitet

Të shtënat me armë zjarri dy ditë më parë në Sarandë, zbardhet sherri mes të rinjve!

Zbardhet sherri mes të rinjve, i ndodhur më 12 mars, në lagjen nr 1 të qytetit të Sarandës, ndërsa në pranga janë vënë 4 persona, dhe dy të tjerë janë në kërkim.

Personat e ndaluar nga policia janë Aleksandër Zervo, Gramoz Adushi, Aidi Basho dhe Danjel Zbobo, të tre 18 vjeç, banues në Sarandë, ndërsa në kërkim është shpallur shtetasi Jurgen Lapa 19 vjeç dhe një i mitur.

Sipas policisë, Jurgen Lapa dhe i mituri kanë qëlluar me armë zjarri ndaj disa të rinjve, me të cilët kanë pasur konflikte të mëparshme. Aleksandër Zervo, Gramoz Adushi, Aidi Basho dhe Danjel Zbobo u ndaluan nga policia pasi dyshohet se kanë qenë në dijeni të ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Materialet janë referuar në Prokurori për veprat penale të kanosjes, prodhimit dhe mbajtjes së armëve pa leje, prishjes së qetësisë publike dhe moskallëzimit të krimit.

Njoftimi i Policisë: 

Reagimi i shpejtë i Policisë zbardh ngjarjen me të shtëna me armë zjarri në ajër pas një konflikti mes të rinjsh; identifikohen dhe ndalohen katër persona, shpallen në kërkim dy të tjerë.

Ndërhyrja e menjëhershme dhe veprimet intensive hetimore të specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë bënë të mundur zbardhjen e shpejtë të një ngjarjeje me të shtëna me armë zjarri, të ndodhur në lagjen nr. 1 të qytetit.

Nga veprimet hetimore dyshohet se më datë 12.03.2026, rreth orës 22:30, në rrugën “Panorama”, shtetasi J. L. dhe një shtetas i mitur, për motive të dobëta dhe pas konflikteve të mëparshme me disa të rinj, kanë qëlluar me armë zjarri në ajër me qëllim kanosjen e tyre.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, më datë 13.03.2026, rreth orëve të mbrëmjes, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasve A. Z., G. A., A. B. dhe D. Z., të moshës 18 vjeç, banues në Sarandë, të cilët dyshohet se kanë qenë në dijeni të ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja, disa aparate celularë, si dhe një automjet.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim shtetasi J. L., 19 vjeç, dhe një shtetas i mitur, ndërsa vijon puna për kapjen e tyre dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Sarandë për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.