Një sherr i rëndë ndodhi mesditën e djeshme mes nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, përplasje e ndodhur në afërsi të këtij institucioni arsimor. Përveç grushteve e shqelmave, të rinjtë kanë përdorur edhe sende të forta, madje duke marrë konet e parkimit për të gjuajtur një të ri në grup.
Në pamjet e siguruara nga Top Channel, shihet se ngjarja ka ndodhur në prani të të rriturve, por nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga këta të fundit për të shuar sherrin. Siç shihet nga këto pamje janë shumë të rinj të pranishëm, por 6 gjimnazistë duket se kryejnë veprime aktive duke sulmuar një djalë, i cili i vetëm mbrohet me duar ndaj grushtave dhe goditjeve me sendet e forta.
Gazetarja e Top Channel-it, Kristi Gongo pyeti Policinë e Shtetit, që njofton se për ngjarjen janë evidentuar të gjithë personat e përfshirë në konflikt. Ndërkaq u bë me dije se oficerja e sigurisë dhe oficerët e Komisariatit nr.3 kanë ndërhyrë e po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të përplasjes.