Aktualitet

Shi dhe reshje bore, policia thirrjeve drejtueseve të mjeteve: Kujdes në qarkullim!

Policia e shtetit apelon drejtuesit e mjeteve për shkak të reshjeve të shiut dhe borës në zonat malore. Policia thotë se është rritur prezenca e saj në akset urbane e rurale për shkak të motit të keq, teksa kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin e rrugëve nga bora dhe për shpërndarjen e kripës, si dhe pastrimin e zonës nga rënia e inerteve.

‘Apel për më shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve dhe motomjeteve.

Shërbimet e Policisë kanë rritur prezencën në akset rrugore urbane e rurale për shkak të motit me reshje shiu dhe në disa zona malore me reshje dëbore.

Firmat kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve po  punojnë për pastrimin e rrugëve nga bora dhe për shpërndarjen e kripës, si dhe për pastrimin nga rënia e inerteve në zonat me intensitet të lartë të reshjeve të shiut. Deri tani nuk ka asnjë aks rrugor të bllokuar.

Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.

Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112.’

Reshje shiu me intensitet mesatar kanë përshkuar vendin duke sjellë rënie gurësh e inertesh të cilat janë pastruar menjëherë pa sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve.

Në aksin Ura e Zapodit-Shishtavec, në Bogë-Theth dhe në Tamarë-Vermosh ka pasur reshje dëbore, ku grupet e punës me mjetet borëpastruese kanë bërë pastrimin e rrugës.

Në Kukës, ka stuhi me erëra të forta e me shi që kanë sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave.

Mjetet e vogla kanë vështirësi në qarkullim, ndërsa të gjitha akset nacionale rrugore vazhdojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve.

ARRSH bën thirrje drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë.

Në pjesën më të madhe të vendit reshjet janë në formë shiu. Sipas shërbimit meteorologjik ushtarak, paqëndrueshmëria e motit do të vijojë gjatë gjithë fundjavës.