Rindërtimi i Rripit të Gazës do të kushtojë 50 miliardë dollarë.
“Vlerësimet janë në rangun e 50 miliardë dollarëve”, tha Steve Witkoff, i dërguari special i SHBA-së, i cili luajti një rol kyç në negociatat e marrëveshjes së armëpushimit.
“Mund të jetë pak më pak; mund të jetë pak më shumë. Mendoj se nuk janë shumë para në atë rajon”, shtoi më tej ai.
Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, pritet të udhëtojnë për në Izrael sot.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, udhëzoi forcat e sigurisë së shtetit të tij që të ndërmarrin “veprim të fuqishëm” ndaj objektivave të militantëve në Gazë, duke akuzuar për shkelje të armëpushimit Hamasin, grupin palestinez të shpallur “organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian”.
Pas shkeljes së armëpushimit nga Hamasi, kryeministri Netanyahu ka mbajtur konsultime me ministrin e Mbrojtjes dhe zyrtarë të lartë të sigurisë duke i udhëzuar që të ndërmarrin veprime të forta kundër shënjestrave terroriste në Rripin e Gazës, raportoi zyra e Netanyahut.
Ndërkaq, krahu ushtarak i Hamasit u shpreh se grupi po i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit dhe nuk është në dijeni për ndonjë luftim në Rafah, ku ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore. Më herët gjatë të ditës, mediat në Izrael raportuan për bombardime në Rripin e Gazës.