Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Temperaturat variojnë nga 2 gradë Celsius minimalja, në qarqet Dibër dhe Korçë, deri në 14 gradë Celsius maksimalja në Ultësirën Perëndimore, përfshirë Tiranën e Durrësin.
Në zonat malore, konkretisht në Kukës, Dibër dhe Korçë, do të ketë edhe reshje dëbore. Moti shoqërohet me intervale të herëpashershme me diell, kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore.
Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme dhe me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në zonat jugore, shfaqen në periudha afatshkurtra, me intensitet deri mesatar, në formën e shtrëngatave.
Në zonën e Alpeve, në verilindje mbi 900-1000 metra dhe në juglindje mbi 1000-1100 metra lartësi, priten reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar, kryesisht në juglindje.
Era fryn me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore shpejtësia e saj do të arrijë deri në 15 m/s. Detet parashikohen me valëzim të forcës 2-4 ballë.