Zbardhet skema e futjes së lëndëve narkotike në burgun e Elbasanit, ku në bashkëpunim me familjarët dhe të paraburgosurit, një efektiv fuste drogën brenda ambienteve të institucionit dhe më pas shitej kundrejt shumave 100-200 mijë lekë.
Hetimet e nisura në vitin 2025, zbuluan se punonjësi i policisë së burgjeve, Ndriçim K., i cili shërben në regjimin e brendshëm të IEVP Elbasan, merrej me futjen e lëndëve narkotike brenda burgut. Sipas hetimit, ai shfrytëzonte turnin e tretë dhe ditët e shtunë e të diel për futjen e drogës, kur në institucion mungonte pjesërisht stafi administrativ.
Për të maskuar aktivitetin e paligjshëm, shfaqej si shitës ambulant në qytetin e Elbasanit, ku shiste telefona të përdorur dhe sende të tjera me vlerë. Aty merrte porosi nga të afërmit e të paraburgosurve dhe më pas i dorëzonte brenda burgut të Elbasanit.
Sipas hetimeve, furnizonte me lëndë narkotike të paraburgosurit brenda burgut, ndërsa shitja dhe shpërndarja e drogës bëhej nga vetë të paraburgosurit, kundrejt pagesave që varionin 100 deri në 200 mijë lekë të vjetra.
Skema u zbulua pas hetimeve disa mujore përmes përgjimeve telefonike dhe ambientale, vëzhgimeve dhe dokumentimit filmik, rezultoi se efektivi bashkëpunonte me Esmeralda K., e cila e paguante për futjen e lëndës narkotike në burg.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se i dashuri i Esmeralda K., i paraburgosuri Gerald S., shiste lëndë narkotike brenda IEVP Elbasan me çmime të ndryshme.
Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar “Arrest në burg” për të tre personat, të cilët akuzohen për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burg”.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Për rastin reagoi më herët edhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili paralajmëroi se çdo punonjës i sistemit penitenciar që përfshihet në veprimtari kriminale do të përballet me drejtësinë. Lamallari theksoi se kontrollet do të intensifikohen në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend, pa asnjë tolerancë ndaj shkeljeve të ligjit.