Dijetarët në Indi kanë reaguar ashpër ndaj referuesve të një konference shkencore, që hodhën poshtë zbulimet e Isaac Newton (Isak Njuton) e Albert Einstein (Albert Ajnshtajn).
Një tjetër kërkues, doktor KJ Krishnan i një universiteti në shtetin jugor Tamil Nadu, tha përpara pjesëmarrësve në Kongresin e përvitshëm indian të Shkencës se, Newton dhe Einstein e kishin gabim dhe valët gravitacionale duhet të riemërtohen si “valët Narendra Modi”.
Newton, sipas tij nuk kishte arritur ta kuptonte forcën shtytëse të këtyre valëve, ndërsa teoritë e Einsteinit i cilësoi “çorientuese”.
Ndër pretendimet e tjera që nxitën reagimin e shumë akademikëve vendas, ishte edhe shpikja e kërkimit të qelizave staminale nga hindutë e lashtë.
Këto nuk janë pohimet e vetme që kanë nxitur thirrjet për të mos i ngatërruar mitet me shkencën.
Në vitin 2017, ministri i Arsimit në shtetin perëndimor të Raxhastanit deklaronte se, është e rëndësishme të kuptohet domethënia shkencore e lopës, si e vetmja kafshë në botë që thith dhe nxjerr oksigjen.
Në vitin 2014, kryeministri Narendra Modi u tha pjesëtarëve të personelit mjekësor të një spitali në Mumbai se historia e hyut indian, Ganesha, me kokë elefanti dhe trup njeriu, tregonte se kirurgjia kozmetike ka ekzistuar në Indinë e lashtë; apo ligjvënësi Ramesh Pokhriyal Nishank, që pati thënë po atë vit se India ka kryer teste bërthamore që përpara 100 mijë vitesh.