Pas suksesit historik të AlphaFold, programit të inteligjencës artificiale që revolucionarizoi studimin e proteinave, shkencëtarët po hedhin një hap tjetër të madh përpara, këtë herë drejt zbërthimit të ADN-së njerëzore. Projekti i ri quhet AlphaGenome dhe synon të ndihmojë shkencën të kuptojë më mirë kodin themelor të jetës. Në vitin 2024, dy shkencëtarë të Google DeepMind fituan Çmimin Nobel në Kimi për zhvillimin e AlphaFold2, një program që arriti të parashikojë me saktësi formën tredimensionale të proteinave, një problem që kishte mbetur i pazgjidhur për dekada. Që prej prezantimit të tij në vitin 2020, AlphaFold u bë mjet standard për laboratorët në mbarë botën.
Shkencëtarët e përdorën atë për të kuptuar si funksionojnë proteinat në kushte normale dhe si dështimi i tyre çon në sëmundje. Programi ndihmoi gjithashtu në krijimin e proteinave krejtësisht të reja, disa prej të cilave pritet të testohen së shpejti në prova klinike. Tani, një ekip tjetër nga Google DeepMind po përpiqet të bëjë për ADN-në atë që AlphaFold bëri për proteinat. Projekti i ri, AlphaGenome, u prezantua këtë javë në revistën shkencore Nature.
Studiuesit e trajnuan inteligjencën artificiale me një sasi gjigante të dhënash molekulare, duke i dhënë aftësinë të bëjë parashikime për mijëra gjene. AlphaGenome mund të parashikojë, për shembull, nëse një mutacion do ta çaktivizojë një gjen ose do ta aktivizojë në kohën e gabuar, një pyetje thelbësore për kuptimin e kancerit dhe sëmundjeve të tjera gjenetike. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ky është vetëm një hap në një rrugë shumë të gjatë. “Kjo nuk është AlphaFold dhe nuk do të fitojë Çmimin Nobel”, tha Mark Gerstein, biolog kompjuterik në Universitetin Yale.