Botë e Çuditshme

Shkencëtarët ringjallin një tru të ngrirë, njerëzit mund të rikthehen në jetë?

Studiues në Gjermani kanë arritur të ruajnë dhe më pas të rikthejnë në funksion inde të trurit të miut, duke ruajtur aktivitet biologjik dhe reagim ndaj stimujve elektrikë. Ky është një hap i madh përpara, pasi më parë eksperimente të tilla kishin arritur vetëm të mbijetonin qelizat, por jo funksionimin real të trurit. Gjatë studimit, shkencëtarët vunë re se neuronet rifilluan aktivitetin, mitokondritë funksiononin normalisht dhe lidhjet sinaptike, baza e kujtesës dhe të nxënit, u forcuan edhe pas procesit të ngrirjes dhe shkrirjes.

Për herë të parë, u regjistrua edhe funksionim i pjesëve kyçe të trurit si hipokampusi, i cili lidhet drejtpërdrejt me kujtesën. Ky rezultat po konsiderohet si një nga arritjet më të rëndësishme në fushën e neuroshkencës moderne. Sekreti i suksesit qëndron te metoda e quajtur vitrifikim, e cila shmang formimin e kristaleve të akullit që zakonisht dëmtojnë strukturat delikate të trurit gjatë ngrirjes. Shkencëtarët tashmë synojnë të kalojnë nga indet e miut tek truri i njeriut, duke deklaruar se ekzistojnë të dhëna paraprake që tregojnë se indet njerëzore mund të mbijetojnë këtë proces.

Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Organet e mëdha si truri i plotë apo zemra mund të pësojnë dëmtime për shkak të stresit termik gjatë ngrirjes dhe shkrirjes. Nëse këto pengesa kapërcehen, kjo teknologji mund të hapë rrugën për banka organesh për transplant dhe madje për idenë e ruajtjes së trupit njerëzor për t’u rikthyer në jetë në të ardhmen.