Bota

Shkencëtarët të alarmuar, zbulohet një çarje masive nën Tokë!

Shkencëtarët kanë zbuluar një çarje gjigante nën Tokë, që po zhvillohet mes pllakës arabo-afrikane dhe asaj euroaziatike. Nën drejtimin e gjeologut Renas Koshnaw nga MIT dhe Universiteti i Miamit, studiuesit konfirmojnë se kjo çarje është e lidhur me zhdukjen e një oqeani të lashtë Oqeani Neotetis që ndante dikur superkontinentet Gondwana dhe Laurasia. Për miliona vite, mbetjet e kësaj pllake oqeanike janë zhytur në mantelin e Tokës. Por të dhënat sizmike të reja dhe modelet e avancuara gjeodinamike tregojnë se pllaka po çahet në dysh. Zona e dëmtimit fillon në juglindje të Turqisë dhe shtrihet drejt Irakut Verior dhe vargmalit Zagros.

“Kjo është si një plagë e vjetër që po hapet sërish,”-thotë Koshnaw. Pjesa oqeanike e pllakës po shembet në mantelin e Tokës, duke krijuar tensione anësore që mund të ndryshojnë balancën tektonike në rajon. Sipas ekspertëve, ky fenomen mund të ndikojë ndjeshëm në frekuencën dhe intensitetin e tërmeteve. Rajonet përreth Turqia, Iraku dhe Irani ndodhen në një zonë sizmike aktive. Nëse çarja vazhdon të zgjerohet, mund të aktivizojë të çara të reja dhe të redistribuojë energjinë e akumuluar në brendësi të Tokës.

Profesor Jean-Philippe Avouac nga Caltech paralajmëron se “në shekujt që vijnë, mund të përjetojmë tërmete më të forta në këtë zonë.” Me përhapjen e mëtejshme të kësaj çarje, mund të formohet një mikropllakë e re mes Arabisë dhe Azisë së Vogël, duke ndryshuar hartën tektonike të Tokës në të ardhmen e largët.

Ndërkaq, gjeologët nga Universiteti i Göttingen kanë zbuluar se një çarje e madhe në koren e Tokës po fillon të krijohet nën Turqi. Kjo çarje shfaqet në pikën ku takohen dy pllaka të mëdha tektonike, ajo arabe dhe euroaziatike, shkruan portali gjerman “Scinexx”. Hulumtimet kanë treguar se fundi i detit vazhdon të zhytet në brendësi të Tokës, por në një zonë specifike, ky proces është ndalur, duke shkaktuar ngritjen e formacioneve shkëmbore. Gjeologët besojnë se çarja do të përhapet drejt Irakut. Edhe pse këto ndryshime gjeologjike janë domethënëse, shkencëtarët kanë vlerësuar se nuk ka ndonjë kërcënim serioz.